Akademia e Edukimit Politik (java 2)
Në vazhdimësi të zhvillimit të suksesshëm të trajnimeve të para të Akademisë së Edukimit Politik, të rinjtë e përzgjedhur u bënë pjesë e ciklit të sesioneve të fundjavës së dytë të Akademisë.
Të premten e datës 26 shkurt, zhvilluam dy sesione të ndryshme me Sekretariatin e Kongresi Rinor Kombëtar, ku në pjesën e parë kishim një prezantim nga Klajdi Priska, Shila Parllaku & Enxhi Lipa, mbi punën kryer nga KRK përgjatë viteve, e në pjesën e dytë patëm përgjegjësen e hulumtimit Enxhi Lipa e cila zhvilloi lojën “Fact Finding Mission” e përkthyer në punë në grupe , ku të rinjtë u fokusuan për të ndarë detyrat dhe për të gjetur fakte në lidhje me tematika të ndryshme që do të preken gjatë debateve.
Gjatë ditës së shtunë u përqëndruam në një diskutim tepër të rëndësishëm me Profesor Roland Gjonin mbi politikën Shqiptare ndër dekada, diaspora e Shqipërisë ndër shekuj e në aktualitet pesha ekonomike, sociale dhe demokratike e qytetarëve Shqiptar që jetojnë jashtë republikës. Gjithashtu dhe për reformën në drejtësi dhe ndryshimet ligjore që janë bërë gjatë viteve të fundit.
Ditën e shtunë e vazhduam me një sesion të veçantë mbi edukimin me Profesor Elvin Gjevori. Ku pjesëmarrësit u informuan më tej por dhe debatuan idetë e tyre të akumuluara ndër vite duke u distancuar nga dogma mbi sistemin arsimor në Shqipëri, lidhjen me tregun e punës dhe rëndësinë e edukimit demokratik.
E diela, e cila ishte dhe dita e fundit e Akademisë së Edukimit Politik, filloi me një sesion special të drejtuar nga gazetari i suksesshëm,
Adi Krasta. Të rinjtë dëgjuan me vëmendje por dhe ndërvepruan me Z. Krasta duke kuptuar shumë mbi median, komunikimin, dhe mënyrën e përçimit të argumentit.
Në pjesën e dytë, e cila shërbeu dhe si mbyllja zyrtare e Akademisë së Edukimit Politik, të rinjtë u përshëndetëm, u motivuam dhe u nxitëm për të vazhduar punën e madhe nga drejtoresha ekzekutive e Kongresi Rinor Kombëtar Znj. Dafina Peci, drejtoresha e zyrës së Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana në Shqipëri Znj. Stine Klapper, dhe drejtori i zyrës së Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien në Shqipëri Dr. Tobias Rüttershoff.
Kjo Akademi do të pasohet nga një program intensive përgatitor nga ekipi i Euronews Albania, në mënyrë që të rinjtë e përzgjedhur të nisin rrugëtimin e tyre në debatet televizive përballë kandidatëve për deputet.
Na ndiqni në vazhdim!